Shëngjergj – Sa larg dhe afër zhvillimit të qëndrueshëm turistik

7 të rinj që ndjekin studimet pranë fakulteteve të Tiranës në degët e Arkitekturës, Turizmit, Planifikimit Urban, Ekonomisë, Industrisë Ushqimore dhe Mjedisit janë bërë pjesë e një nisme të UNDP-së dhe GIZ për promovimin e eko-turizmit në zona relativisht të panjohura. Shëngjergji, një komunë e vogël vetëm një orë larg Tiranës, dhe me një popullsi rreth 2000 banorë, është përzgjedhur si një destinacion me potencial për të zhvilluar një turizëm aktiv, me impakt mjedisor minimal, i cili nxjerr në pah vlerat autentike të zonës. Ky postim vjen nga këndvështrimi i njërit prej studentëve, Dhorit, pas vizitës së parë në Shëngjergj.

30-31 Maj 2015

U nisëm nga Tirana në 07:30 pas një ore arritëm në qendrën e fshatit Shëngjergj. Udhëtimi ishte përmes një rruge me peisazh të rrallë dhe reliev të larmishëm. Dëshira për të parë më shumë nuk mungonte, aq sa gjatë mëngjesit në një nga kafenetë e shumta të fshatit grupi kërkimor po strukturonte ndarjen e punës dhe krijimin e grupeve të vogla për të krijuar tablonë e përgjithshme të një zone që tregon sa e pasur është jeta në zonën rurale. Një kafe e shpejtë dhe bisedë e këndshme mjaftuan disi për të njohur njëri tjetrin përpara se eksplorimi të niste. Kërkimi i shtigjeve ishte një eksperiencë e re për cdo student dhe si e tillë entuziasmi ishte pjesë e punës.

Shëngjergji mes maleve
Shëngjergji mes maleve

Fshati Urë, një nga 12 fshatrat e komunës së Shëngjergjit, ishte pika e rradhës, rruga gjatë së cilës na ndeshi me banorë të zonës të cilët jo vetëm e duan jetën në fshat por, imponojnë përparësitë e rutinës tek cdo kalimtar i rastit i cili edhe nëse nuk e ka për herë të parë vizitën në fshat, degjon i habitur. Turistet e rastit ndoshta do të kërkonin të shihnin më tepër se sa një kornizë kaq të thjeshtë, ndaj mendimi se një ditë pranë këtyre banorëve dhe ushqimit të pasur të zones për ta do të kthehej në një eksperiencë turistike. E në fakt, gjurmimi për disa banesa karakteristike të zonës dhe potenciali për ti kthyer në bujtina modeste për turistët ishte objektivi ynë. Përtej mikpritjes së padiskutueshme, ekzistonte një shije konservatorizmi e cila ndoshta kërkonte thjesht trajtim më diplomatik në mënyrë që familjet e zonës të preknin më nga afër qëllimin tonë. 

Shtëpi në fshatin Shën Mëri
Shtëpi në fshatin Shën Mëri

Rrugëtimi vijon në një tjetër fshat rreth 45 minuta (në kembë) larg qendrës së Shëngjergjit, Shën Mëria. Këtu nuk ka një qendër fshati por thjesht shtëpitë numërohen në ngjitje dhe diku ne fund ekziston nje lokal modest ku ndoshta kuvendohet për ato orë të lira të ditës pasi kultura e punës kryesisht bujqësore përbën një element evidentues. Një zonjë bujare na ftoi në banesen e saj, hyrja në të cilën tregonte mjaft për aktivitetin ekonomik të një familjeje në një zonë rurale. Kishte mjaft kasolle me dru dhe era e plehut ishte ende e freskët. E zonja e shtëpise po punonte ndërkohe që nuk u kursye të mirëpriste disa kalimtarë të cilët kërkonin të kuptonin përtej asaj që ishte e dukshme; si funksionon jeta këtu?. Pak ujë të freskët, tek tuk raki dhe kafe ndërkohe që dites së parë i erdhi fundi.

Identifikimi i shtegut – drejt Qafës së Shpellzës
Identifikimi i shtegut – drejt Qafës së Shpellzës

Të nesërmen udhëtimi nisi sërisht herët nga Tirana. Një marshim rreth pesë orë e kusur po na priste. Kësaj here mëngjesi u konsumua në fshatin Ure ku u ndanë dy grupe pune. Disa u angazhuan në gjetjen e një banese të përshtatshme për të funksionuar si nje bujtinë malore për turistet, dhe pjesa tjeter filloi marshimin për identifikimin e shtegut të pajisur me harta dhe GPS. Studentët u familjarizuan në kohë me elementët teknikë të kërkimit si lokalizimi i pikave orientuese dhe përshkrimi i itenerarit të shkelur. Cdo shteg i zgjedhur të conte në një peisazh të ndryshëm nga cdo reliev dhe formë e vetë e kaluar më parë. Diku shtegu vinte i ngushtë e pa hapësirë për kalime dyshe, diku ishte fort i ndricuar nga dielli, e diku hija kishte zënë mirë. Kishim dëgjuar për një stan rreth dy orë larg nga pikënisja. Menduam të pushonnim dhe të karikonim energjitë, pasi uria po na vërtitej. E nuk mund të gjeje më bukur se sa një drekë e impostuar në një lëndinë të gjerë, nën hijen e një lisi të gjatë, mes miqsh dhe bisede të këndshme. Sa keq që zgjati aq pak!

Lëndina në Qafën e Shpellzës
Lëndina në Qafën e Shpellzës
Lulet e zonës
Lulet e zonës
Lulet e zonës
Lulet e zonës
Lulet e zonës
Lulet e zonës
Në stanet e Urës
Në stanet e Urës
Djali i stanit
Djali i stanit

Kthimi ishte akoma më interesant pasi identifikuam një rrugë alternative duke i bërë bisht rrugës kryesore. Rruga filloi të fitonte pjerrësi gjithnjë e më shumë. Kalimi në një grykë te zhveshur nuk ishte i kollajshem, sakaq që relievi filloi të bëhej i njohur. Shpesh nëpër shkëmbinj dallonim markime të mëparshme cka tregonte zbulimin e kësaj pjese të shtegut. Shtëpitë filluan të shtoheshin e kuptoje se po mbërrinim në fshatin Urë. Mbase ngjan qesharake, por në mungesë të infrastrukturës dhe këndveshtrimit llogjistik, banorët e zonës kalojnë në po të njëjtët shtigje për të takuar të afërmit që banojnë në fshatin përballë e që mungesa e një rruge të kalueshme nga këmbesoret pavarësisht moshës, iu humb kohë dhe mund mjaftueshëm.

Rruga e vjetër
Rruga e vjetër

Nënteksti i udhëpërshkrimit të mësipërm është se një zonë kaq e gjerë, kaq e gjallë, e mbi të gjitha kaq afër metropolit qëndron e heshtur pas malit.

Në javët dhe muajt në vijim ne do të vijojmë të postojmë mbi Shëngjergjin dhe ndërhyrjet që të rinjtë bashkë me stafin e projektit do të ndërmarrin.

 

Navigate