Mbi Guidat Turistike të Munguara

Nuk ndodh rrallë të mendoj ndërsa udhëtoj nëpër Shqipëri sa do më konvenionte një guidë që mund të më çonte në vende të cilat nuk i njoh, ku nuk do merrja guximin të shkoja vetëm, vende historinë e të cilave e njoh shumë pak.

Idealisht duhet të ishte dikush me shumë energji dhe entuziazëm, me një personalitet miqësor, i besueshëm, korrekt, i përpiktë, me njohuri për historinë dhe gjeografinë, e pse jo i artikuluar mjaftueshëm për sfidat sociale të Shqipërisë. Akoma më mirë po të ishte vendas e të kishte informacion për prodhimet tipike të zonës e restorantet më të mira.

E ndërkaq mendoj turistin e huaj që përtej këtyre do të kishte nevojë për aftësi interpretuese dhe gjuhësore të avancuara, për tolerancë fetare dhe kulturore, nevojë për tu ndjerë i sigurt që në çdo eventualitet guida do të mund ti përgjigjej një problemi apo situate tjetër të paparashikueshme.

Nuk e vë në dyshim që ekzistojnë guida turistike të tilla të cilat i shërbejnë turizmit në Shqipëri. Gjithësesi ato mbeten të rralla e elitare. E ndërsa perspektiva e ekonomisë Shqiptare shpesh lidhet me zhvillimin e turizmit, guida ime imagjinare duhet të jetë norma. Për më tepër numri i tyre mbetet i limituar.

Sistemi i Arsimit dhe Formimit Profesional në Shqipëri duhet ti përgjigjet nevojës së tregut për guida turistike. Sot, 10% (2,037) e gjithë nxënësve që ndjekin arsimin profesional të mesëm në Shqipëri zgjedhin degën hoteleri-turizëm. Në vitin akademik 2014-2015 vetëm 14 prej tyre u profilizuan si guida turistike, të gjithë pranë Shkollës “Kristo Isak” në Berat. 150 të tjerë janë formuar si operatorë turistikë pranë qendrave publike të formimit profesional në kurse afatshkurtra në Tiranë, Durrës, dhe Elbasan.

Duke u nisur nga mungesa e guidave turistike të formuara dhe të licensuara në zonën e Sarandës, Programi “Skills Development for Employment”, në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes (MZHETTS) dhe Agjensinë Kombëtare të Bregdetit mbështetën trajnimin e 30 të rinjve në këtë zonë si guida turistike lokale. Shoqata Kombëtare e Guidave Turistike në Shqipëri trajnoi të rinjtë e interesuar gjatë periudhës Prill – Maj 2015. Nga testimi përfundimtar 18 të rinj u çertifikuan nga MZHETTS duke fituar kështu të drejtën të ushtrojnë formalisht punën e tyre si guida lokale të diferencuara nga ato të palicensuara.

Për më tepër informacion lexoni artikullin Çertifikimi i Guidave Turistike fillon me Sarandën.

Navigate