Me Sytë nga Bujqësia

Gjatë një vizite në qarkun e Vlorës vizituam zona bujqësore me mundësi zhvillimi në fushën e agrobiznesit dhe frutikulturës. Potenciali i tyre është ngushtësisht i lidhur me turizmin. E ndërsa vlerat natyrore e historike të zonës janë të pranishme, e kam të pamundur të evitoj problematikat dhe hendeqet e shumëllojshme.

p10807361

Në këto zona, kulturat që disa fërmerë kanë mbjellë prej kohësh e në një farë mase vazhdojnë ende të kultivohen janë përgjithësisht ulliri dhe agrumet. Përpos kësaj syri na zë edhe toka të braktisura e të lëna djerr. Specialist­­­­ë të sektorit të bujqësisë të cilët takuam sidomos në qytetin e Delvinës dhe Konispolit, krenoheshin për njohuritë e tyre specifike, qe kishin nxënë në shkollën e mesme bujqësore Delvinë, një ndër më të mirat në Shqipërinë e viteve 80 e cila pregatiste fermerë e specialistë të mesëm. Nje pjesë e mirë prej tyre, ishin specializuar më tej duke vazhduar studimet e larta për Agronomi, Veterinari, Ekonomi Agrare etj. Shkolla e mesme bujqësore e Delvinës, çdo vit shkollor numëronte rreth 700 -900 nxënës që vinin nga disa qytete të Shqipërisë së jugut, Njohuritë e mirëfillta shkencore dhe mësim-dhënia ofrohej mbi baza praktike ku eksperimentoheshin edhe metoda të vetëfinancimit të shkollës, madje nga prodhimet në saje të përkujdesjës së vetë nxënësve, shkolla kishta arritur edhe te exportonte disa produkte.

p1080740

Fatkeqësisht kjo shkollë, që prej dy dekadash ka rreshtur së funksionuari. Gjatë 20 viteve të fundit, për arsye të ndryshimeve politike dhe impaktit social, përfshirë emigracionin, problemet e pronësisë së tokës dhe më së shumti braktisjen e tokave bujqësore, apo edhe vlerësimin e ulët kundrejt arsimit dhe formimit profesional e sidomos atij me profil bujqësor, jo vetëm kjo por edhe shkolla të tjera të ngjashme kanë pësuar rrjedhje dhe si në rastin e shkollës së Delvinës madje edhe mbyllje, duke e bërë qe përgatitja në profilin Bujqësi, Veterinari etj të mungojë totalisht sidomos në këto zona.

Kureshtja më nxiti të mësoj më shumë rreth shkollave të mesme me profil bujqësor, e kështu fillova të kërkoj se sa shkolla të tilla publike janë akoma funksionale në Shqipëri, sa e si ato performojnë, sa nxënës janë të regjistruar apo kanë interes për këtë profil etj.

bujqesi

Ndërkohë, sektori i bujqësisë në Shqipëri është aktualisht pjesa më e pazhvilluar e ekonomisë shqiptare dhe vuan nga fragmentarizimi i thellë i sipërfaqes së tokës së punueshme.  Rritja e prodhimit bujqësor, jo vetëm që zhvillon ekonominë dhe ul papunësinë, por mundëson uljen e çmimeve të produkteve kryesore jetike që konsumohen nga popullata, si dhe ul varësinë e vendit nga importet.

E një nga mundësitë është edhe rritja e interesimit të të rinjve, e sidomos në ato zona ku ka mundësi dhe potenciale për të investuar por ku njëkohësisht mungojnë ofruesit e arsimit dhe formimit profesional në këto profile. Pajisja me aftësi e dijet e duhura do të prodhonin  fermerë të rinj e me njohuri bashkëkohore e cilësore, që do të mundësonin gjetjen e mënyrave të reja për të organizuar aktivitetin apo biznesin e tyre, në të ardhmen e afërt.

Të interesuar për më shumë informacion rreth bujqësisë? Vizitoni Agroweb një portal online shumë interesant që synon ta sjellë bujqësinë pranë lexuesit në një tjetër këndvështrim, duke e pozicionuar atë si shtyllën kryesore të ekonomisë, me një rol të rëndësishëm në jetën e gjithsecilit prej nesh.

Navigate