Në Kërkim të Talenteve – Indeksi Global i Kapitalit Njerëzor 2015

Në një të ardhme të afërt talenti, jo kapitali monetar, do të jetë faktori kryesor që ushqen inovacionin, konkurrencën dhe rritjen ekonomike. Të dhëna globale tregojnë se gjatë vitit të kaluar më shumë se një e treta e punëdhënësve janë përballur me vështirësi në gjetjen e talenteve. Afërsisht gjysma mendojnë se mungesa e talenteve ka një ndikim negativ në ecurinë e biznesit të tyre. Ndërkohë  shumë talente në botë mbeten ende të pashfrytëzuara.

Qeveritë, liderët e biznesit, institucionet arsimore dhe individët duhet ta kuptojnë më mirë dhe të jenë më të informuar mbi rëndësinë e përgatitjes dhe përthithjes së talenteve. Biznesi, në veçanti, duhet të ri-mendojë rolin e tij si “konsumator” i mirëfilltë i kapitalit njerëzor dhe në mënyre proaktive të angazhohet për të kontribuar në zhvillimin e burimeve njerëzore. Të gjithë këta aktorë përfitojnë nga një bazë solide të dhënash dhe statistikash mbi kapitalin njerëzor.

Raporti i Kapitalit Njerëzor siguron pikërisht një bazë të tillë informacioni nëpërmjet Indeksit të Kapitalit Njerëzor. Indeksi vlerëson progresin dhe zhvillimin e vendeve në kohë. Të dhënat e indeksit përfshijnë vlerësimin e nivelit arsimor, edukimit dhe formimit profesional dhe punësimit për grupmoshat e ndryshme, duke filluar nga nën 15 vjeç deri mbi 65 vjeç. Indeksi mbulon 124 vende, duke përfaqësuar kështu 92% të popullsisë së botës.

wef_human_capital_report_2015-albania1

Shqipëria sot renditet e 66-ta ndër 124 vende. Listën e kryesojnë Finlanda, Norvegjia dhe Zvicra. Ndër 40 vendet e Europës dhe Azisë Qendrore, Shqipëria konsiderohet si një vend me performancë relativish të ulët, veçanërisht përsa i përket shkallës së pjesëmarrjes në forcat e punës, shkallës së papunësisë dhe shkallës së papunësisë afatgjatë.

Për më shumë informacion referojuni Raportit të plotë.

Navigate