Sa të Kushton Taksa e Ulët?

Më 20 Janar 2016, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), do të organizojë Konferencën Tirana Smart City 2016-2026. Një event i cili ndan vizionin e Bashkisë dhe synon të nxisë dialog dhe partneritet mes aktorëve të sektorit publik dhe privat, investitorëve vendas dhe të huaj, si dhe donatorëve. Na ndiqni në javët në vijim ndërsa prekim tematika mbi cilësinë e jetës në Tiranë.

sd4e_article

6:45 Zgjohem në mëngjes dhe shikoj përtej dritares katin e fundit të një pallati i cili po ndërtohet vetëm disa metra larg,

7:00 Bëhem gati të lahem, por uji nuk ka ardhur as sot.

7:10 Shpejtoj të përgatis fëmijët për në kopësht e shkollë.

7:30 Makinën e kam parkuar larg. Mbrëmë u rrotullova disa herë rreth lagjes ku karriget dhe konat e vendosura nga baret e përreth më detyrojnë të parkoj disa blloqe më larg.

7:45 Trafiku në këtë ditë me shi është akoma më i rënduar dhe i ngadaltë.

8:10 Më në fund mbërrij në shkollë, oborri i së cilës më ngjason më shumë me atë të një burgu.

8:30 I afrohem çerdhes. Hyj brenda dhe më përplaset era e qepës dhe e lagështisë.

9:00 Më në fund mbërrij në punë.

17:00 Ndërsa tentoj të kaloj në vijat e bardha thuajse të padukshme, një makinë më shpërfill dhe kalon me shpejtësi duke ngritur ujin e pellgut të vogël aty pranë.

17:20 Poshtë pallatit sërisht më duhet të endem në kërkim të një parkimi. Kësaj here dorëzohem dhe vendos t’i paguaj 200 lek djaloshit që me kutinë e kartonit ka zaptuar një hapësirë.

18:30 Pas detyrave fëmijët duan të luajnë jashtë. Teksa kaloj nëpër mendje vendet e mundshme ku mund t‘i çoj, hapësirat e pakta të gjelbërta janë shumë larg. Vajza do të marri me vete biçikletën, por kam frikë kur mendoj rrugët pa korsi biçikletash dhe rrezikun e makinave. Si përfundim vendosim të qëndrojmë në shtëpi. Një tjetër mbrëmje përpara televizorit.

Ky përjetim i jetës në Tiranë është i ngjashëm për një pjesë dërrmuese të kryeqytetasve. Të gjithë ne kërkojmë dhe presim shërbime më të mira nga Bashkia. Të gjithë ne kërkojmë një Tiranë më të jetueshme. Por sa kontribuojmë ne për Tiranën ku do të donim te jetonim?

taksa
Kalkuluesi i Taksave 2015

Sipas të dhënave nga portali www.opendata.al, një qytetar me të ardhura mesatare duhet të kontribuojë vetëm 25,637 lek / vit. Sot, Bashkia e Tiranës është në gjendje të mbledhë vetëm 30% të tyre. Është e drejta jonë të kërkojmë shërbime më të mira, ashtu sikurse është përgjegjësia e secilit prej nesh të kontribuojë. E kundërta po na kushton shumë më shtrenjtë.

Navigate