Teknologji Informacioni & Komunikimi Stelina Brahaj – Vlorë

Stelina është duke ndjekur vitin e parë në drejtimin TIK (Teknologji Informacioni dhe Komunikimi) pranë shkollës Pavarësia, Vlorë. Lindur në fshatin Llakatund, Stelina do përballej me vështirësinë e të lindurit paraplegjike.Por kjo nuk e pengoi atë të vazhdonte shkollimin e saj. Gjithmonë e buzëqeshur, edhe pse në karrigen me rrota, Stelina duket se ndihet mjaft mirë e rrethuar me miq të cilët i përshëndet teksa kalojnë në oborr. “Më pëlqen të shoqërohem me djem. Janë më pak të komplikuar dhe thurin më pak intriga”, thotë Stelina teksa përshëndet shokun e radhës. Gjatë pushimit të gjatë, oborri i shkollës gumëzhin nga nxënësit, shumica e të cilëve janë djem.

pavaresia 1

Përse zgjodhe Arsimin Profesional?

Gjatë vitit të fundit të 9 vjeҁares po peshoja zgjedhjen për të vazhduar për kanto duke qënë se më jepet për të kënduar. Por kjo nuk mjaftonte për të siguruar një të ardhme të sigurt. Zgjodha TIK sepse mendoj që ka më shumë potencial për të siguruar një punë në të ardhmen. Për më tepër, punët që mund të bëj në këtë profil janë komode për sa i përket punës përpara kompjuterit.

Cilat janë pikat e forta dhe ato të dobëta të formimit tënd këto katër vite?

Për mua pika e fortë në TIK është programimi dhe zhvillimi i software. E parapëlqej në krahasim me mirëmbajtjen e rrjetit hardware. Pika tjetër e fortë e shkollës është vënia në punë e njohurive profesionale në të mire të shkollës dhe nxënësve. Më kujtohet kur erdha në shkollë ditën e parë, nxënësit e vitit të katërt kishin ndërtuar një ramp në mënyrë që lëvizja në shkollë të bëhej sa më lehtë. Imitimi i kullës Eifel pas krahëve të mi, sëbashku me të gjitha objektet e tjera që shikoni në oborr si zbukurimet dhe deri tek porta e shkollës, janë të ndërtuar nga vetë nxënësit. Gjithashtu, porta e Portit të Vlorës po punohet nga nxënësit që ndjekin degët mekanikë dhe elektroteknikë. IMG_5114

Çfare do të bësh pas mbarimit të maturës në AFP?

Kam dëshirë të filloj të punoj me kohë të plotë pranë një kompanie e cila merret me shërbime IT.

A do e rekomandoje degën e TIK në shkollën Pavarësia në Vlorë?

Do e rekomandoja për ata që janë të interesuar të mësojnë më shumë për kompjuterat dhe dëshirojnë të profilizohen më herët gjatë studimeve. Do përmendja këtu si avantazh edhe orët e praktikës që siguron shkolla.

IMG_5111

Shkolla e mesme Industriale “Pavarësia” Vlorë, është ndërtuar në vitet 1970 – 1971. Shkolla ka sot 1023 nxënës dhe ofron drejtime mësimore në fushat 1) Mekanikë, 2) Shërbime Mjetesh Transporti, 3) TIK, 4) Elektroteknikë dhe 5) Ndërtim. Performanca e shkollës  është rankuar ndërmjet nivelit 4 – 5 në një shkallë vlerësimi nga 1 – 6 (bazuar në studimin e ndërmarrë nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë me asistencën e GIZ dhe ETF në Qershor 2014). 

Navigate