Elektroteknikë Denis Hasani – Shkodër

Denisi, 19 vjeҁ, është maturant në degën Elektroteknikë pranë shkollës së mesme Arben Broci, Shkodër. Paralel me shkollimin, ai ka mundur të ushtrojë profesionin e tij duke punuar me instalime civile të makinerive elektrike dhe shtëpiake. Të ardhmen Denisi e shikon si i diplomuar në inxhinieri elektrike pranë Universitetit të Tiranës.

IMG_5313
Laboratori i ri i Elektroteknikës

Përse zgjodhe Arsimin Profesional?
Ajo që më shtyu të zgjidhja këtë shkollë ishte perspektiva e të fituarit të një profesioni pas disa vitesh. Të dy prindërit e mi kanë ndjekur këtë shkollë dhe ma rekomanduan, pavarësisht se zgjedhjen ma lanë mua. Zgjodha drejtimin për elektronikë pasi që i vogël më ka ardhur dora për të riparuar paisje elektrike dhe shtëpiake. Edhe pse viti i parë ishte pak i vështirë në krahasim me 9 –vjeҁaren, mendoj që kam bërë zgjedhjen e duhur, pasi shkolla më ka mundësuar që të punoj paralelisht dhe të fitoj të ardhura.

Cilat janë pikat e forta dhe ato të dobëta të formimit tënd këto katër vite?
Një pikë e dobët është se shumica e nxënësve në shkollë janë djem. Çdo vit na thonë se do shtohen gocat që fillojnë në vit të parë, por deri tani nuk kemi pare ndonjë rritje të numrit të vajzave. Tjetër pikë e dobët është intensiteti i praktikave pranë bizneseve, përveҁ praktikës që bëhet pranë bazës prodhusese në shkollë gjatë vitit të I, II dhe të III-të. Deri më tani kemi bërë praktikë pranë OSSH-së, një here në javë, gjatë vitit të katërt. Kurse pika e fortë e shkollës janë laboratorët e rinj të sapo ndërtuar dhe lënda ime e preferuar e elektronikës industriale, ku mësojmë se si të rregullojmë makineritë e prodhimit.

IMG_5325

Çfare do të bësh pas mbarimit të maturës në AFP?
Dëshiroj të vazhdoj studimet e larta për inxhinieri elektrike në Tiranë. Kurse shumica e shokëve të klasës po mendojnë të fillojnë punë.

A do e rekomandoje degën e Elektroteknikës në Shkodër?
Do e rekomandoja për ata që janë të interesuar të vazhdojnë për elektronikë. Edhe pse pak e vështirë, pas katër vitesh ndihem gati të ndjek studimet e larta për inxhinieri elektrike si dhe të punoj paralelisht.

Shkolla e mesme Arben Broci, Shkodër, është ndërtuar në vitet 1929. Shkolla ka sot 582 nxënës dhe ofron tre drejtime mësimore në fushat 1) Elektroteknik, 2) Mekanikë dhe 3) TIK. Performanca e shkollës është rankuar ndërmjet nivelit 3 – 4 në një shkallë vlerësimi nga 1 – 6 (bazuar në studimin e ndërmarrë nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë me asistencën e GIZ dhe ETF në Qershor 2014).

Navigate