Ingrid Xhaja

Ingrid Xhaja

“Biznes plani është fillimi i vërtetë i një biznesi”

Ingrid Xhaja e ka nisur rrugëtimin e saj si sipërmarrëse herët. Në këtë intervistë ajo flet për gabimet që duhen evituar nga momenti i parë kur na vjen ideja e të hapurit një biznes. “Shumë shpesh biznes plani ta hedh të gjithë planin në tokë sepse ti ke menduar diçka tjetër, por shifrat, kërkimet dhe informacionet që mbledh të tregojnë diçka tjetër. Është shumë e rëndësishme që biznes planin ta shohim me një sy shumë kritik, të mos e veshim me rozë”

Cilat janë aftësitë kryesore që nevojiten për tu bërë një sipërmarrës i suksesshëm?
Mendoj që është shumë e rëndësishme ideja dhe vizioni. Përkushtimi dhe shumë këmbëngulje. Doni që të flas më shumë?

Çfarë këshillash do t’i jepnit një sipërmarrësi të ri?
Frymëzohu gjithmonë nga ide të reja! Është shumë e rëndësishme që të shohim rreth e përqark e të frymëzohemi nga idetë. Qëndro gjithmonë besnik planit! Është shumë e rëndësishme që të ketë një fokus dhe të vazhdojmë të qëndrojmë atje, mos të shpërqëndrohemi, dhe mendoj që të vazhdosh të këmbëngulësh shumë.

Përmendni disa gabime që bëjnë zakonisht sipërmarrësit e rinj.
Zakonisht shpërqëndrohemi, gjatë rrugës ka shumë njerëz të cilët me të mirë me të keq, ngaqë dinë, ngaqë s’dinë, të japin këshilla. Dhe shpesh herë kjo të shfokuson nga objektivi. Është shumë e rëndësishme që të qëndrojmë tek ajo që ne kemi pasur si ide. Pra, gabimi kryesor është të dëgjojmë të tjerët. Nuk duhet t’i dëgjojmë të tjerët. Shumë e rëndësishme është të kemi pak durim sepse rezultatet nuk dalin menjëherë as rezultatet si pasojë e fushateve të marketingut as rezultatet si pasojë e njohjes me tregun, asnjë lloj rezultati nuk do duket menjëherë. Duhet pak durim, të vazhdojmë të punojmë dhe të presim që të vijnë pastaj frytet.

Përmendni një dështim dhe çfarë keni mësuar nga ai?
Partnershipet e këqija! Ato janë shumë të rrezikshme, prandaj për mua të paktën ky ka qenë një nga mësimet që kam marrë. Është shumë e rëndësishme të zgjedhim njerëzit, qoftë në aspektin profesional, qoftë në aspektin personal. Tipare dhe cilësi të caktuara që njerëzit i nxjerrin qoftë në aspektin e tyre personal, qoftë në mënyrën se si ata punojnë janë gjithmonë shumë shumë të rrezikshme. Të zgjedhim njerëzit e gabuar është shansi shumë i lartë për të gabuar.

Cila është më e rëndësishme, ideja e biznesit apo kapitali?
Mendoj që është 50-50. Të dyja kanë nevojë për njëra-tjetrën. Personalisht besoj shumë tek idetë dhe me ato jetoj. Ndoshta ideja ka pak më tepër peshë. Por nëse e shikon me syrin objektiv të ngritjes së një biznesi, atëherë mendoj se janë të dyja të rëndësishme.

Çfarë e karakterizon një biznes plan të mirë?
Biznes plani është fillimi i vërtetë i një biznesi. Të bësh një biznes plan duhet të jesh i përgatitur, të kesh mbledhur informacione, të kesh njohuri për tregun, dhe të dish ku do të shkosh. Është shumë e rëndësishme kjo pjesë. Shumë shpesh biznes plani ta hedh të gjithë planin në tokë sepse ti ke menduar diçka tjetër por shifrat, kërkimet dhe informacionet që mbledh të tregojnë diçka tjetër. Është shumë e rëndësishme që biznes planin ta shohim me një sy shumë kritik, të mos e veshim me rozë. Pra, të mos themi “Analiza e sotme nuk na del shumë mire, por ska gjë se ne do ia dalim gjithsesi”. Është shumë e rëndësishme që biznes plani të jetë real, me sa më shumë informacion bazuar në tregun dhe në të dhënat. Është shumë e rëndësishme kjo pjesë.

Nëse do ta nisje rrugëtimin nga fillimi, çfarë do të bëje ndryshe?
Ka disa gjëra që i mëson vetëm gjatë kohës që je duke e bërë një biznes. Nuk mund t’i dish ndryshe. Prandaj do bëja shumë gjëra ndryshe. Si fillim, aftësia për të zgjedhur njerëzit, fillon edhe kupton se si duhet ti zgjedhësh bashkëpunëtorët e tu apo vartësit apo çfarëdo. E dyta, mendoj që do zgjidhja që investimi të ishte më i kujdesshëm, të investoja më pak, duke u përpjekur që të maksimizoja fitimet. Dhe tjetra më e rëndësishmja është kontrolli. Për mua kontrolli është tipike një nga ato gabime që bëhen kur ti mendon se po shkon mirë biznesi dhe të kap ai entuziazmi. Kontrolli në të gjitha hallkat bën që të kesh ide shumë të saktë dhe shumë të qartë. Në fund të fundit qëllimi final është që të fitojmë, rrjedhimisht kontrolli është shumë i rëndësishëm.

Cilën fushë e konsideroni me potencial në Shqipëri për t’u vetëpunësuar?
Mendoj që tregu jonë lëviz shumë shpejt dhe kjo bën që në momente të caktuara kur shikoj për ide të reja biznesi shpeshherë më ndryshon objektivi. Një vit mendoj se ka hapësirë për diçka, një vit ka për diçka tjetër. Mendoj që në Shqipëri ende ka goxha hapësirë për pjesën e teknologjisë dhe zhvillimit ndaj turizmit.

Cilin drejtim do të sugjeronit, punësimin diku apo vetëpunësimin?
Është thikë me dy presa gjithmonë, por aftësia për të marrë vendimet sigurisht në rastin kur ti e di se çfarë do të bësh, ke një vizion të qartë, i ke aspektet e qarta të rrugës që do ndjekësh, të çon drej vetëpunësimit. Mendoj që kjo është absolutisht avantazhi kryesor i të qenurit i vetëpunësuar. Autonomia.