Dritan Mezini

Intervista: Drtan Mezini

 

“”Nëse dashuron lirinë, zgjedh vetëpunësimin”

Dritan Mezini, eksperti në fushën e Menaxhimit të IT dhe Menaxhimit të Projekteve është shumë i qartë për të rinjtë: “Nëse ti e dashuron lirinë ti e zgjedh vetëpunësimin… Për të qenë një sipërmarrës i suksesshëm të duhen njohuri rreth profesionit dhe shumë dashuri, të dashurosh atë që dëshiron të bësh”

Cilat janë aftësitë kryesore që nevojiten për tu bërë një sipërmarrës i suksesshëm?
Mendoj se për të qenë një sipërmarrës i suksesshëm të duhen njohuri rreth profesionit. Njeriu në rradhë të parë duhet të ketë njohuri të mira dhe të plota në një drejtim të caktuar, pra të ketë një profesion të mirë dhe mbi këtë ndërtohet besimi dhe pasioni rreth saj.

Çfarë këshillash do t’i jepnit një sipërmarrësi të ri?
Unë do ta nisja me besimin, bindjen që mund ta bësh. Çdo njeri, çdo sipërmarrës i ri duhet të ket besimin tek vetja që ai mund t’ia dalë siç kanë bërë edhe të tjerët. Së dyti, duhet të dashurojë atë që ai dëshiron të bëjë. Sigurisht që nuk duhet të zhgënjehet edhe nga dështimet ose edhe nga të papriturat në këtë rrugëtim për të arritur tek qëllimi i tij.

Përmendni disa gabime që bëjnë zakonisht sipërmarrësit e rinj.
Do të veçoja mungesën e durimit, mungesën e qartësisë së mendimit, dhe mungesën e qëllimit. Shumë sipërmarrës gabojnë kur marrin shumë lehtë procese të ndryshme në ndërtimin e biznesit.

Përmendni një dështim dhe çfarë keni mësuar nga ai?
Një dështim thua?! Shumë dështime! Madje shumë shumë dështime. Por sipas mendimit tim, dështimi është rruga drejt suksesit. Dhe këtu unë mundet të citoj Majkëll Xhordan, që është një nga sportistët e mi të preferuar, i cili thotë: “Dështova, dështova, dështova, prandaj dhe pata sukses” .

Cila është më e rëndësishme, ideja e biznesit apo kapitali?
Ndonjëherë disa njerëz kanë kapital dhe ata kërkojnë ide biznesi dhe këtu nuk është se janë pak. Por ka edhe njerëz që kanë shumë ide biznesi por nuk kanë kapital. Sipas mendimit tim, ideja e biznesit vjen përpara, por të jetë e zbatueshme, realiste. Kushdo mund të ketë shumë ide, por jo të gjitha idetë janë të zbatueshme. Pikërisht gjetja e idesë së zbatueshme është çelësi dhe kjo vjen përpara kapitalit. Pasi në momentin që ideja është e zbatueshme, mund të ndjekësh mënyra për të gjetur kapitalin të cilat tashmë në përgjithësi ekzistojnë në treg.

Çfarë e karakterizon një biznes plan të mirë?
Një biznesplan i mirë është një udhëzues drejt rrugës së suksesit. Në fakt jo domosdoshmërisht drejt suksesit por është një udhëzues drejt realizimit të ëndrrës që ka një sipërmarrës. Ndonjëherë mund edhe të mos të të çojë drejt suksesit por të paktën e drejton atë saktë në këtë rrugëtim drejt pozicionimit të tij si sipërmarrës.

Nëse do ta nisje rrugëtimin nga fillimi, çfarë do të bëje ndryshe?
Eh, në fakt nuk do të bëja asnjë gjë më ndryshe vetëm do të filloja aktivitetin si sipërmarrës shumë më herët. Dhe unë e kam filluar aktivitetin si sipërmarrës 100% i dedikuar para 12 vjetësh, ndërkohë që kam menduar si sipërmarrës për shumë vite. Pra të kisha preferuar bërë këtë shkëputjen dhe të isha sipërmarrës shumë më herët, thjesht të kisha fituar në kohë.

Cilën fushë e konsideroni me potencial në Shqipëri për t’u vetëpunësuar?
Fushat me potencial më të madh për një ide biznesi sipas mendimit tim janë teknologjia e informacionit, bujqësia, por edhe ajo që është më kryesorja, kthimi ose monetizimi i profesioneve. Domethënë njerëzit me profesione dhe profesionistë të mire, të cilët janë në gjendje që profesionin e tyre ta kthejnë në një biznes fitimprurës. Dhe kjo është një mundësi e pakufizuar nga fusha e operimit. Përsa kohë ti je një profesionist i mire, ti mund të kthesh atë në mundësi vetëpunësimi dhe biznes të suksesshëm.

Mund të përmendni tre mënyra për të siguruar kapitalin fillestar për nisjen e një biznesi të ri?
Të ardhurat e tua personale janë një nisje shumë e mirë, por edhe familja apo ato që vijnë edhe nga rrethi shoqëror. Një tjetër alternativë janë edhe të ardhurat që mund të sigurohen nga skema të ndryshme financimi, programe të ndryshme, të cilat tani janë prezente në treg. Në fazën fillestare banka luan më pak rol për të financuar nismat e reja.

Përmendni një ide biznesi në të cilën do të invesoje.
Në fakt, unë kam investuar tashmë në një ide biznesi, kam investuar në një portal punësimi. Por do të investoja me shumë kënaqësi në modele të ngjashme të këtij biznesi. Preferoj të investoj në gjitha shërbimet që ofrohen nëpërmjet përdorimit të internetit, që e bëjnë jetën e përdoruesve më të lehtë. Kjo mund të jetë punësimi, makinat me qera, shtëpitë me qera, njohjet që njerëzit bëjnë në botën online etj.

Cilin drejtim do të sugjeronit, punësimin diku apo vetëpunësimin?
Nëse ti e dashuron lirinë ti e zgjedh vetëpunësimin. Sigurisht, të jesh i vetëpunësuar nuk ke jetë personale, ke orë të tejzgjatura pune, por këto i merr të mirëqëna që në fillim. Kur nis procesin e vetëpunësimit i merr  të mirëqëna por në një moment edhe këto “disavantazhe” mund t’i konvertosh në mundësira për të bërë një biznes më të mirë. Nëse punon më shumë, siguron pastaj edhe të ardhura më shumë. Siguron më shumë të ardhura sesa po të ishe i punësuar diku tjetër. Kjo gjithmonë kur flitet në plan afatgjatë. Vetëpunësimi nuk është një nga ato iniciativat që i jep frytet e saj që në fillim. Kërkohet durim, kërkohet qartësi, por mbi të gjitha kërkohet besim që të marrësh atë të cilën ti ke ëndërruar. Kështu, unë do të sugjeroja vetëpunësimin.