Prof. Dr. Ilia Kristo

Intervista: Ilia Kristo

“Produktet agrare, një pikë nisjeje shumë e mirë për vetëpunësim”

Eksperti i njohur i ekonomisë, Prof. Dr. Ilia Kristo jep disa këshilla për të rinjtë që duan të ndërtojnë biznesin e tyre. “Duhet përmendur se modeli i konsumit në Shqipëri po ndryshon. Orientimi i kërkesave të konsumatorit tashmë është kah produkteve agrare.  Kjo do të thotë që ky është sektori i parë që sipërmarrësit e rinj duhet të orientohen”.

Cilat janë aftësitë kryesore që nevojiten për tu bërë një sipërmarrës i suksesshëm?
Do një kohë që të bëhesh sipërmarrës, mund të fillojë nga punësimi, punësimi i pjesshëm apo nga vetëpunësimi. Pastaj kalohet në një sipërmarrës në kuptimin klasik të fjalorit akademik. Nuk bëhesh sipërmarrës në qoftë se nuk je proaktiv, në qoftë se nuk je riskmarrës, pra të marrësh një risk që lidhet me biznesin.
Së dyti, një sipërmarrës duhet të ketë një edukim të caktuar minimal, një kulturë të përgjithshme të fushës ku do të aplikojë. Megjithatë, kur flasim për edukimin eksperienca ime shumë vjeçare në mësimdhënie, por edhe afër bizneseve, nuk më rezultojnë sipërmarrësit më të suksesshëm ata që kanë pasur notën mesatare më të lartë. Sigurisht, nuk mundet të edukohesh nëpërmjet punës si e vetëpunësuar por përmes trajnimeve që realiasht duhet të jenë më afër tregut të punës.
Gjithashtu përgjegjësia sociale dhe etika në të gjitha nivelet që biznesi rrugëton janë tepër të rëndësishme.

Çfarë këshillash do t’i jepnit një sipërmarrësi të ri?
Këshilla e parë që unë do t’i jepja, do të ishte që të orientohet në fushën e prodhimit, aty ku krijohet vlerë dhe jo në fushën e shërbimeve. Së dyti, të presë suksesin e biznesit. Biznesi mund të fillojë dhe me humbje, të mësohet edhe me humbje dhe pastaj të shmangë të tjerat.
Së treti, duhet të kuptojë mirë edhe burimet e tij. Fillimisht, sipërmarrësi mund të ketë një mbështetje financiare prej një burimi. Por kjo mbështetje ndaj këtij biznesi, që po e quajmë foshnje, sipërmarrësi duhet ta përllogarisë vetëm në fazën fillestare. Ky biznes foshnje do të ngrihet në këmbë dhe do duhet të rezistojë dhe të kthehet në një biznes fitimprurës.

Cila është më e rëndësishme, ideja e biznesit apo kapitali?
Jam i sigurt që kapitali është i dyti. Ne kemi pasur raste kur u ofrohet kapitali bizneseve që kanë nevojë për të, por duke mos qënë të qartë në idetë e tyre, ato nuk dinë ku të shkojnë.

Çfarë e karakterizon një biznes plan të mirë?
Për të vetëpunësuarit problemi më madhor nuk është biznes plani. Ata duhet të jenë të qartë se sforcimet financiare duhet që të kthehen në fitim dhe sigurisht, këto sforcime duhet të mbahen shënim. Kemi shumë raste konkrete kur një sipërmarrës i ri pyetet: “Si është biznesi juaj?” – përgjigja është: “Me fitim!”. Dhe kur pyetet: “Po paga juaj sa është?” – ai përgjigjet: “Aaaa, unë nuk paguhem”.
Nuk po flasim këtu për sigurimet, pasi ajo është pjesa e formalitetit. Kur pyetet: “Sa paguan për qeranë?” – kthehet duke u përgjigjur: “Nuk paguaj asgjë, se është e prindit”. Pikërisht kjo e bën një biznes plan jo efektiv.

Cilën fushë e konsideroni me potencial në Shqipëri për t’u vetëpunësuar?
Duke qënë në kontakt me stundentët pasi mbarojnë studimet, ka një prirje në bizneset e reja nga shpikjet e famshme. Megjithatë, gjykoj që tregu shqiptar është i tillë që sektorë të tillë siç janë bujqësia, agroturizmi, përpunimi i produkteve bujqësore, turizmi të ofrojë hapësira të padiskutueshme. Normalisht këtu duhet të marrim parasysh edhe pjesën filozofike tek brezi të ri. Në kushtet e plotësimit të infrastrukturës, zhvillimit të teknologjisë së komunikimit, lexoj një prirje që të rinjtë tërhiqen tashmë jo në qendrat e qyteteve të mëdhaja. Sigurisht është në fillimet e saj por po orientohet në bizneset e këtyre fushave. Në këtë pikëpamje orientimi nga produkti është investim më i sigurtë, fitim-prurës dhe ka perspektivë.

Mund të përmendni tre mënyra për të siguruar kapitalin fillestar për nisjen e një biznesi të ri?
Kapitali fillestar mund të sigurohet në forma të ndryshme. Në ditët e sotme, me fondet disponibël të institucioneve ndërkombëtare, atyre lokale dhe kombëtare që po orientohen nga biznesi, nuk është problemi i kapitalit i pari. Gjithashtu mundet që familja, prindërit të kenë burime të lira dhe mund të t’i vendosin në dispozicion. Unë nuk do të sugjeroja që burimet financiare të merren apo në skemat jo-piramidale. Edhe kreditimi të paktën deri tani në skemën e bankave në Shqipëri ka një interes kaq të lartë, sa çdo lloj biznesi dhe veçanërisht sipërmarrjet e reja, e kanë të pamundur kthimin e parave.

Nëse do të ishit një investitor, çfarë natyre do kishte kjo ide biznesi të cilën ju do ishit gati të investonit?
Unë pak a shumë i përmenda sektorët me potencial për të investuar. Janë ato biznese, për produktet e të cilave ka kërkesë vendase për momentin, që konkurrojnë produktet e importuara, dhe në të ardhmen mund të gjenerojnë eksporte. Sipas mendimit tim, këto janë produket bujqësore, agro-përpunimi, apo shërbimet turistike. Kam raste interesante që në kushtet e krijimit të infrastrukturës, të rinj po tërhiqen nga qendrat e qyteteve dhe po shkojnë drejt këtyre formave të agro-turizmit, atje ku kohë më parë, tokat ishin të papunuara, të pambjella. Ata kanë ngritur aty restorante me ushqitme karakterstike, të përshtatura për turistët. Duhet përshëndetur çdo i ri që bën një shpikje e cila mund të jetë në nivel kombëtar, rajonal apo global. Por duhet që të rinjtë të orientohen në bizneset e prodhimit që realisht mungojnë. Format mund të jenë pa fund. Një shembull që ju sjell, është biznesi i prodhimit të kërpudhave. Pra bëhet fjalë për produkte të cilat importohen nga jashtë por që mund të prodhohen me kosto shumë më të ulët në vend dhe që kanë kërkesë të padiskutueshme. Duhet përmendur se modeli i konsumit në Shqipëri po ndryshon. Orientimi i kërkesave të konsumatorit tashmë është kah produkteve agrare.  Kjo do të thotë që ky është sektori i parë ku duhet që sipërmarrësit e rinj të orientohen. Sigurisht problemi është edhe psikologjik. Imagjinoni një vajzë apo djalë të ri me xhinse që përdor smartphone, flet gjuhë të huaja dhe njëkohësisht drejton një fermë ku ka 30, 40, 100, 200, dhi, lopë apo pula. Mendoj se kjo është edhe risia.